“All-llahu është Ai, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër të drejtë, Ai është El-Hajju El-Kajjûm! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush (guxon të) ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas tyre (krijesave), kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursî-u i Tij përfshin qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!” [Bekarah: 255]
Shpjegimi i Ajetit
Ky ajet i çmuar është ajeti më madhështor i Kuranit, ajeti më i vlershëm dhe më i madh. Kjo, sepse ngërthen çështje madhështore dhe i përfshin Cilësitë e Larta të Zotit. Prandaj ekzistojnë shumë hadithe që nxisin për leximin e tij dhe nxisin për marrjen e tij si ‘uird’ (si tekst i përzgjedhur i lutjeve ose dhikreve të rregullta), në kohë të sabahut, të pasdites, para gjumit dhe pas namazeve farze.
All-llahu i Lartësuar tregon për Veten e Tij të Madhërishme se:
“Lâ ilâhe il-lâ Hu…” لا إِلَهَ إِلاَّ هُوَ
“nuk ka ilâh tjetër veç Tij”
Domethënë, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Atij. Ai është ilâhu i Vërtetë, të Cilit i takojnë ekskluzivisht të gjitha llojet e ibadeteve dhe adhurimeve, për arsye se Ai është i Plotë dhe Absolut, Vetitë e Tij janë Absolute dhe nimetet e Tij janë të pakufishme; gjithashtu për arsye se krijesa e meriton të jetë abd (rob i nënshtruar, adhurues) ndaj Zotit të tij, t’i zbatojë urdhrat e Tij dhe t’u shmanget ndalimeve të Tij.
Çdo i adhuruar tjetër, përveç All-llahut, është i kotë, prandaj edhe adhurimi i dikujt tjetër është i kotë dhe i pavlerë. Sepse, përveç All-llahut, çdo gjë është e krijuar, e mangët, e nënshtruar dhe nevojtare nga secila pikëpamje, kështu që nuk mund të meritojë diçka nga llojet e adhurimeve.
el-Hajju, el-Kajjûm الْحَيُّ الْقَيُّومُ
“i Gjalli i Përjetshëm, Mbajtësi i gjithçkaje”
Këta dy Emra të madhërishëm janë tregues për të gjithë Emrat e Bukur të Zotit, dhe atë ose përmes sinonimisë së plotë, ose implikimit, ose nënkuptimit. Kështu,
“El-Hajju” (I Gjalli) është Ai që ka Jetën absolute – dhe kjo Cilësi i nënkupton patjetër të gjitha Cilësitë Vetore, si: Dëgjimi, Shikimi, Dituria, Fuqia etj.
“El-Kajjûm” (Mbajtësi) është Ai i Cili vetëmbahet (nuk ka nevojë për përkujdesje, nuk është nën varësinë e dikujt ose diçkaje) dhe i Cili mban në ekzistencë çdo gjë tjetër – dhe kjo Cilësi i përfshin dhe i nënkupton të gjitha Cilësitë Veprore me të cilat cilësohet Zoti i botëve, si fakti që Ai vepron çfarë të dojë, si ngritja (lartësimi mbi Fron), zbritja, të folurit, Fjala, krijimi, dhënia e riskut, sjellja e vdekjes dhe e jetës dhe të gjitha llojet e sistemimit dhe përkujdesjes. Të gjitha këto hyjnë te Cilësia e “Kajjûmijes” së Krijuesit (Mbajtjes absolute).
Prandaj, disa dijetarë të mëdhenj hulumtues kanë thënë se ky Emër (i përbërë: El-Hajju-l-Kajjûm) është “Emri më i Madh”, (për të cilin thuhet në hadithe) që kur dikush i lutet All-llahut me atë Emër, Ai ia pranon lutjen dhe kur dikush i kërkon diçka me të, Ai ia jep.
Dhe për shkak se Jeta e Tij dhe Mbajtja e Tij janë absolute:
لا تَأْخُذُهُ سِنَةٌ وَلا نَوْمٌ
Lâ te’khudhuHû sinetun we lâ neûm
“Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi!”
لَهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَمَا فِي الأَرْضِ
Lehu mâ fis-semâwâti we mâ fil-ard
“Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë.”
Domethënë, Ai është Mbreti Pushtetplotë dhe gjithçka tjetër është e nënshtruar. Ai është Krijuesi, Furnizuesi dhe Sistemuesi, ndërsa gjithçka tjetër është e krijuar, e furnizuar, e sistemuar dhe nuk ka asnjë grimë pushteti, as për vete e as për dikë tjetër, as në qiej e as në Tokë, prandaj ka thënë:
مَنْ ذَا الَّذِي يَشْفَعُ عِنْدَهُ إِلَّا بِإِذْنِهِ
men dhel-ledhî jeshfe’u ‘indeHû il-lâ bi’idhniH
“Kush është ai që (guxon të) ndërhyjë tek All-llahu për ndokënd pa lejen e Tij?”
Domethënë: askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Ai pa lejen e Tij. Pra, i tërë shefati (ndërmjetësimi) i përket All-llahut të Lartësuar. Mirëpo, kur All-llahu do që ta mëshirojë dikë prej njerëzve, lejon të ndërmjetësohet për të. Këtë leje ia jep vetëm atij që All-llahu dëshiron ta nderojë me këtë rol (Ditën e Gjykimit). Ndërmjetësuesi nuk fillon vetë të ndërmjetësojë, pa iu dhënë leja. Pastaj ka thënë:
يَعْلَمُ مَا بَيْنَ أَيْدِيهِمْ
jealemu mâ bejne ejdîhim
“Ai di çdo gjë që është përpara tyre…”
– d.m.th.: çdo çështje që u ka ndodhur në të kaluarën.
we mâ khalfehum – وَمَا خَلْفَهُمْ
“…dhe çdo gjë që është pas tyre”
– d.m.th.: çdo çështje që vjen në të ardhmen.
Pra, dituria e Tij përfshin çdo çështje me imtësi; çdo çështje të mëparshme dhe të mëpasshme, të dukshme dhe të brendshme, të hapët dhe të fshehtë, ndërsa robërit nuk kanë në dorë asnjë çështje dhe nuk kanë asnjë grimcë diturie, përveç asaj që All-llahu ua ka mësuar. Prandaj ka thënë:
وَلَا يُحِيطُونَ بِشَيْءٍ مِنْ عِلْمِهِ إِلَّا بِمَا شَاءَ
we lâ juhîtûne bi shej’in min ‘ilmiHî il-lâ bimâ shâ’.
“…kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron.”
وَسِعَ كُرْسِيُّهُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ
Wesi’a kursijjuHus-semâwâti wel-ard
“Kursî-u i Tij përfshin qiejt dhe Tokën”
Kjo dëshmon për madhështinë absolute të All-llahut dhe për gjerësinë e pushtetit të Tij; pasi Kursiu i Tij[1] ka këtë përshkrim, pra përfshin qiejt dhe Tokën, duke i pasur parasysh përmasat e mëdha të tyre dhe të krijesave që gjenden në to – ndërkohë që Kursiu nuk është krijesa më e madhe e All-llahut të Lartësuar, por ka diçka edhe më të madhe se kjo dhe ajo është Arshi (Froni i All-llahut), si dhe krijesa të tjera që nuk i di askush përveç Atij – dhe që nga përmasat e stërmëdha të këtyre krijesave hutohen mendjet, turbullohen shikimet, dridhen malet dhe shtangen nga frika burrat e vërtetë, atëherë çfarë mund të thuhet për madhështinë e Atij, i Cili i ka krijuar dhe i ka shpikur ato, i Cili ka vendosur në to urtësi dhe fshehtësi të mahnitshme sa ka dashur dhe i Cili i mban qiejt dhe Tokën të mos shkëputen, pa ndier asnjë lodhje apo mundim? Prandaj ka thënë në vazhdim:
وَلَا يَؤُودُهُ حِفْظُهُمَا
we lâ je’ûduHu hifdhuhumâ
“dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato”
we Huwel-‘Alijj وَهُوَ العَلِيُّ
“Ai është i Larti”
I Larti, me Qenien e Tij mbi Fron.
I Larti, me sundimin e Tij mbi çdo krijesë.
I Larti, me madhërinë e Tij dhe Vetitë absolute.
el-‘Adhîm العَظِيمُ
“Madhështori!”
– Para madhështisë së të Cilit tretet autoriteti i çdo pushtetari autoritar dhe pranë madhërisë së të Cilit ulet hunda e çdo mbreti të ashpër.
I Lartësuar dhe plot lavdi është Ai, të Cilit i përket madhështia e pakufishme, lartësia supreme, sundimi dhe pushteti absolut mbi çdo gjë!
Ky ajet ngërthen në vete (të gjitha aspektet e Monoteizmit):
Teuhidin “ilâhije” (besimin se nuk ka të adhuruar (ilâh) tjetër të vërtetë veç Atij);
Teuhidin “rubûbije” (besimin se nuk ka zota e krijues të tjerë veç Atij);
dhe Teuhidin e “el-Esmâ’ wes-Sifât” (besimin se Ai nuk ka shëmbëlltyrë dhe ortakë në Emrat dhe Cilësitë e Tij).
Pastaj tregon për mbretërinë e Tij të gjithanshme, për Diturinë e Tij gjithëpërfshirëse, për gjerësinë e sundimit të Tij, për madhërinë, lavdinë, madhështinë dhe lartësinë e Tij mbi të gjitha krijesat.
Kështu ky ajet, i vetëm është akide rreth Emrave dhe Cilësive të All-llahut, duke përfshirë brenda tij të gjithë Emrat e Bukur dhe Cilësitë e Larta.
Autor: AbdurRahmân es-Sa’di (All-llahu e mëshiroftë)
Burimi: Tefsiri i Sa’dit, me disa sqarime të nevojshme nga përkthyesi.
Përkthimi: Blerand Grubi
___________________
Fusnotat:
[1] Kursi-u është krijesa më e madhe pas Arshit (Fronit) të All-llahut. I Dërguari (ﷺ) ka thënë:
“ما السموات السبع في الكرسي إلا كحلقة ملقاة بأرض فلاة وفضل العرش على الكرسي كفضل تلك الفلاة على تلك الحلقة”
«Shtatë qiejt te Kursiu janë vetëm si unazë e hedhur në shkretëtirë, kurse madhësia e Arshit në krahasim me Kursiun është si madhësia e asaj shkretëtire në krahasim me unazën.» – Tefsiri i Ibën Xheririt: 5/399. Shejh El-Albani ka thënë se hadithi është i saktë me bashkimin e rrugëve dhe ka shtuar: “Ky hadith ka ardhur si shpjegues i Thënies së All-llahut: «Kursi-u i Tij përfshin qiejt dhe Tokën», duke theksuar qartë se Kursiu është krijesa më e madhe pas Arshit dhe se ai është qenie më vete, jo diçka abstrakte e simbolike”. – Es-Sahîha, 1/109 (sh.p.).
