esSunneh

Kjo dituri është fe…

Thirrja e profetit Isa (alejhis-selâm) për monoteizëm

Lavdërimi i plotë i përket All-llahut. Atë e përlëvdojmë dhe Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me meritë përveç All-llahut, Një e i pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij.

Fjala më e drejtë është Fjala e All-llahut dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (). Çështjet më të këqija në fe janë risitë, çdo risi është bidat, çdo bidat është humbje dhe çdo humbje është një Zjarr!

Më pas:

Vëllezër të nderuar!

Feja Islame është e dalluar nga fetë e padrejta dhe miletet jobesimtare. Këtë dallim e bën mesataria e saj në thirrjen për besimin në të dërguarit, e cila është pa teprim dhe pa cungim.

Feja Islame i vendos të dërguarit në pozitën në të cilën i ka vendosur All-llahu; që njerëzit të mos e teprojnë me ta duke u dhënë atyre Cilësi të All-llahut, ose duke i marrë si ortakë të All-llahut; ortakë si zota ose ortakë në të drejtën e adhurimit. Por, gjithashtu, që njerëzit të mos i mohojnë të dërguarit dhe të mos e refuzojnë profecinë e ndonjërit prej tyre.

Shembull e kemi Isanë (alejhis-selâm), birin e Merjemit. Akideja (bindja fetare) islame lidhur me këtë të dërguar është e qartë dhe e dukshme dhe qëndron midis dy ekstremeve: cungimit të jehudëve dhe teprimit të të krishterëve.

Isai (alejhis-selâm) në Islam ka pozitë të madhe e të lartë. Ai është njëri prej të dërguarve Ulul-Azëm (prej të dërguarve më të vlefshëm, me sprovat dhe qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë më të madhe).

Ky profet fisnik ka një pozitë të madhe, të cilën ia respekton Islami dhe ia pohon qartazi, duke ia vërtetuar me mënyrën më të mirë, më të plotë dhe më të drejtë, në shumë ajete të madhërishme e të qarta të Kuranit.

Çdo logjikë dhe mendje e shëndoshë e pranon qëndrimin që e pohon Islami për Isanë (alejhis-selâm) dhe e refuzon çdo qëndrim tjetër, si qëndrimi i jehudëve të cilët shpifin paturpësira për të dhe për nënën e tij, ose si qëndrimi i të krishterëve, të cilët e teprojnë me të, e marrin për të adhuruar, ndonjëherë duke konsideruar djalë të Zotit, ndonjëherë duke thënë: “Ai është All-llahu” dhe ndonjëherë duke thënë: “Ai është njëri prej treve” – shumë i Pastër dhe i Lartësuar është All-llahu prej asaj që ata thonë për Të!

All-llahu na ka rrëfyer neve historitë më të bukura dhe më të mrekullueshme për Isanë (alejhis-selâm) dhe nënën e tij, duke u nisur nga fillimi i tyre dhe duke vazhduar me periudhat e tjera të jetës së tyre. Na i ka rrëfyer me qartësinë më të madhe dhe, njëkohësisht, me nderimin më të lartë për ta.

All-llahu e ka përmendur historinë e Isait dhe nënës së tij në më shumë sure, madje ka zbritur një sure të plotë me emrin e nënës së Isait, Merjemit (alejhes-selâm).

All-llahu i Madhëruar ka sqaruar se Isai as nuk është vrarë dhe as nuk është kryqëzuar e gozhduar, por All-llahu e ka ngritur pranë Tij dhe ai do të zbresë në fund të kohës.

Këtë e besojnë besimtarët, që janë ndjekësit e Muhammedit (). Ata ia njohin vlerën Isait dhe nënës së tij ashtu si duhet dhe i nderojnë të dy me nderim të vërtetë!

Madje, Islami e ka caktuar shehadetin për Isanë si sebep për hyrje në Xhenet. Ubadetu ibnus-Sâmit (radijAll-llahu anhu) ka transmetuar se i Dërguari i All-llahut () ka thënë:

مَنْ قَالَ: أَشْهَدُ أَنْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللهُ وَحْدَهُ لَا شَرِيكَ لَهُ، وَأَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُه وَرَسُولُهُ، وَأَنَّ عِيسَى عَبْدُ اللهِ، وَابْنُ أَمَتِهِ، وَكَلِمَتُهُ أَلْقَاهَا إِلَى مَرْيَمَ وَرُوحٌ مِنْهُ، وَأَنَّ الْجَنَّةَ حَقٌّ، وَأَنَّ النَّارَ حَقٌّ، أَدْخَلَهُ اللهُ مِنْ أَيِّ أَبْوَابِ الْجَنَّةِ الثَّمَانِيَةِ شَاءَ

“Kush thotë: «Dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç
All-llahut, Vetëm e pa ortakë, se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij, se Isai është rob i All-llahut, bir i një robëreshe të All-llahut, fjala që ia ka zbritur Merjemit dhe shpirt (i krijuar) prej Tij, (si dhe dëshmoj) se Xheneti është i vërtetë dhe se Zjarri është i vërtetë» – këtë njeri All-llahu do ta fusë nga cila derë të dëshirojë prej tetë dyerve të Xhenetit.”
– Muttefekun alejhi.

Robër të All-llahut!

Ai që e analizon thirrjen e Isait (alejhis-selâm), do ta shohë se është e mbushur me Teuhid dhe se urdhri që adhurimi t’i kushtohet vetëm All-llahut Një është prej bazave më të mëdha të saj. Ky është Mesazhi i të gjithë të dërguarve, në mesin e të cilëve gjendet Isai (alejhis-selam). All-llahu i Lartësuar ka thënë:

وَمَا أَرْسَلْنَا مِن قَبْلِكَ مِن رَّسُولٍ إِلَّا نُوحِي إِلَيْهِ أَنَّهُ لَا إِلَٰهَ إِلَّا أَنَا فَاعْبُدُونِ (25)

“Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka të adhuruar të vërtetë përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!” [El-Enbijâ’, 25]

Isai e ka përcjellë Mesazhin e tij në formën më të përkryer. Ai ka qenë në krye të ibadetxhinjve të Umetit të tij, i pari i tyre në përulje me frikëmadhërim ndaj All-llahut, Zotit të krijesave. Ai e predikonte haptazi të vërtetën, prej kur ka qenë në djep, pastaj kur është bërë burrë e deri kur e ngriti All-llahu tek Ai dhe, gjithashtu, kur të zbresë në fund të kohës së kësaj bote, i tërë daveti i tij është i përqendruar në Teuhid dhe në mohimin e shirkut dhe refuzimin e shpifjes se All-llahu ka fëmijë.

Në djep ka thënë:

 قَالَ إِنِّي عَبْدُ اللَّهِ آتَانِيَ الْكِتَابَ وَجَعَلَنِي نَبِيًّا (30) وَجَعَلَنِي مُبَارَكًا أَيْنَ مَا كُنتُ وَأَوْصَانِي بِالصَّلَاةِ وَالزَّكَاةِ مَا دُمْتُ حَيًّا (31) وَبَرًّا بِوَالِدَتِي وَلَمْ يَجْعَلْنِي جَبَّارًا شَقِيًّا (32) وَالسَّلَامُ عَلَيَّ يَوْمَ وُلِدتُّ وَيَوْمَ أَمُوتُ وَيَوْمَ أُبْعَثُ حَيًّا (33)

“30. Ai (Isai në djep) tha: «Unë jam rob i All-llahut. Ai më ka dhënë Librin (pra Ungjillin), më ka bërë profet

31. dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë

32. dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.

33. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!»” – Merjem, 30-33.

Kur të zbresë në fund të kohës do ta vrasë Mesihun e Rrejshëm (el-Mesîh ed-Dexh-xhâl), i cili do të pretendojë se është zot në vend të All-llahut.

Pastaj, Isai do të udhëheqë dhe do të gjykojë me ligjin e Zotit, do t’i thërrasë njerëzit të besojnë në Njëshmërinë e All-llahut dhe do t’i luftojë dukuritë e idhujtarisë dhe shirkut.

Ebu Hurajra ka transmetuar se i Dërguari i All-llahut () ka thënë:

(وَالَّذِى نَفْسِى بِيَدِهِ لَيُوشِكَنَّ أَنْ يَنْزِلَ فِيكُمُ ابْنُ مَرْيَمَ حَكَمًا مُقْسِطًا، فَيَكْسِرَ الصَّلِيبَ، وَيَقْتُلَ الْخِنْزِيرَ، وَيَضَعَ الْجِزْيَةَ، وَيَفِيضَ الْمَالُ حَتَّى لاَ يَقْبَلَهُ أَحَدٌ)

“Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im! Shumë shpejt do të zbresë te ju biri i Merjemit, si një udhëheqës dhe gjykues i drejtë; do ta thyejë kryqin, do ta vrasë derrin, do ta lërë xhizjen dhe do të përhapet pasuria aq shumë, sa nuk do ta pranojë njeri.” – Muttefekun alejhi.

Kështu edhe në të kaluarën, Isai (alejhis-selâm) i ka urdhëruar fisin Beni Israil t’ia kushtojnë ibadetin (veprat e adhurimit) vetëm All-llahut Një dhe i ka paralajmëruar për rrezikun e shirkut. All-llahu i Lartësuar ka thënë:

 لَقَدْ كَفَرَ ٱلَّذِينَ قَالُوٓاْ إِنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلْمَسِيحُ ٱبْنُ مَرْيَمَ ۖ وَقَالَ ٱلْمَسِيحُ يَٰبَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ ٱعْبُدُواْ ٱللَّهَ رَبِّى وَرَبَّكُمْ ۖ إِنَّهُۥ مَن يُشْرِكْ بِٱللَّهِ فَقَدْ حَرَّمَ ٱللَّهُ عَلَيْهِ ٱلْجَنَّةَ وَمَأْوَىٰهُ ٱلنَّارُ ۖ وَمَا لِلظَّٰلِمِينَ مِنْ أَنصَارٍ

“Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: «All-llahu është Mesihu, biri i Merjemit!», sepse vetë Mesihu ka thënë: «O Beni Israil, adhuroni All-llahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Pa dyshim, atij që adhuron tjetërkënd përveç All-llahut, All-llahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës».” – El-Mâ’ide, 72.

Ky profet fisnik, Isai (alejhis-selâm), ia sqaronte popullit të vet se shpëtimi gjendet vetëm në ndjekjen e Rrugës së Drejtë dhe se ajo është: ruajtja e vetes nga zemërimi i All-llahut, (pra takvaja ndaj All-llahut), bindja ndaj Tij dhe besimi në Njëshmërinë e Tij, duke e adhuruar Vetëm Atë.

All-llahu ka thënë, duke rrëfyer fjalët e Isait:

 وَمُصَدِّقًا لِّمَا بَيْنَ يَدَيَّ مِنَ التَّوْرَاةِ وَلِأُحِلَّ لَكُم بَعْضَ الَّذِي حُرِّمَ عَلَيْكُمْ ۚ وَجِئْتُكُم بِآيَةٍ مِّن رَّبِّكُمْ فَاتَّقُوا اللَّهَ وَأَطِيعُونِ (50) إِنَّ اللَّهَ رَبِّي وَرَبُّكُمْ فَاعْبُدُوهُ ۗ هَٰذَا صِرَاطٌ مُّسْتَقِيمٌ (51)

“50. Dhe (kam ardhur te ju) për t’ju vërtetuar Teuratin, që është para meje dhe që t’ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. Ju kam sjellë një provë nga Zoti juaj, prandaj kijeni frikë All-llahun dhe bindmuni!

51. Me të vërtetë, All-llahu është Zoti im dhe Zoti juaj, andaj adhurojeni Atë. Kjo është rruga e drejtë!” – Âl Imrân, 50-51.

All-llahu i Lartësuar do ta pyesë Isanë (alejhis-selâm) për të vërtetën se në çfarë feje e ka thirrur popullin e vet dhe na është treguar përgjigjja e tij e sinqertë, e cila fton për adhurimin e All-llahut Një, duke dëshmuar për pafajësinë dhe pastërtinë e tij dhe të nënës së tij nga shpifja e ortakërisë, duke u distancuar nga adhurimi që ia kanë kushtuar atyre të dyve dhe duke e dëshmuar për pastërtinë e thirrjes së tij, e cila kurrë nuk ka thirrur për t’u adhuruar diçka tjetër krahas All-llahut; Zoti ynë (azze ue xhel-le) ka thënë:

وَإِذْ قَالَ اللَّهُ يَا عِيسَى ابْنَ مَرْيَمَ أَأَنتَ قُلْتَ لِلنَّاسِ اتَّخِذُونِي وَأُمِّيَ إِلَٰهَيْنِ مِن دُونِ اللَّهِ ۖ قَالَ سُبْحَانَكَ مَا يَكُونُ لِي أَنْ أَقُولَ مَا لَيْسَ لِي بِحَقٍّ ۚ إِن كُنتُ قُلْتُهُ فَقَدْ عَلِمْتَهُ ۚ تَعْلَمُ مَا فِي نَفْسِي وَلَا أَعْلَمُ مَا فِي نَفْسِكَ ۚ إِنَّكَ أَنتَ عَلَّامُ الْغُيُوبِ (116) مَا قُلْتُ لَهُمْ إِلَّا مَا أَمَرْتَنِي بِهِ أَنِ اعْبُدُوا اللَّهَ رَبِّي وَرَبَّكُمْ ۚ وَكُنتُ عَلَيْهِمْ شَهِيدًا مَّا دُمْتُ فِيهِمْ ۖ فَلَمَّا تَوَفَّيْتَنِي كُنتَ أَنتَ الرَّقِيبَ عَلَيْهِمْ ۚ وَأَنتَ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ شَهِيدٌ (117)

“116. Pastaj All-llahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, biri i Merjemes! A ti ishe ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si dy të adhuruar krahas All-llahut”?! Isai do të thotë: «SubhâneKe (i Lartësuar, i Pastër nga çdo e metë Je Ti)! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë! Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti pa dyshim do ta dije. Ti e di çfarë ka në veten time, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat.

117. Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: “Adhuroni All-llahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!”. Kam qenë dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis tyre dhe, qëkurse më more mua, Ti ishe Mbikëqyrësi i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë».” – El-Mâ’ide, 116-117.

Robër të All-llahut!

Ky është realiteti i profetit dhe i të dërguarit të All-llahut – Isait (alejhis-selâm) dhe kjo është pozita e tij në Islam dhe tek umeti islam. Kjo është e vërteta, kurse çdo gjë tjetër është shpifja dhe dalaleti, për kotësinë e së cilës dëshmojnë ligjet e shpallura, logjika e shëndoshë dhe natyrshmëria e pastër.

All-llahu i Madhëruar thotë:

ذَٰلِكَ عِيسَى ابْنُ مَرْيَمَ ۚ قَوْلَ الْحَقِّ الَّذِي فِيهِ يَمْتَرُونَ (34) مَا كَانَ لِلَّهِ أَن يَتَّخِذَ مِن وَلَدٍ ۖ سُبْحَانَهُ ۚ إِذَا قَضَىٰ أَمْرًا فَإِنَّمَا يَقُولُ لَهُ كُن فَيَكُونُ (35) وَإِنَّ اللَّهَ رَبِّي وَرَبُّكُمْ فَاعْبُدُوهُ ۚ هَٰذَا صِرَاطٌ مُّسْتَقِيمٌ (36)

“34. Ky është Isai, biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë.

35. Nuk i shkon All-llahut të marrë dikë për bir. SubhâneHu (d.m.th. i lartësuar është Ai e i Pastër nga kjo shpifje)! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të «Bëhu!» dhe ajo bëhet.

36. (Isai tha): «Vërtet, All-llahu është Zoti im dhe Zoti juaj; andaj adhuroni vetëm Atë! Kjo është udha e drejtë».” – Merjem, 34-36.

[Hutbja e dytë]

O robër të All-llahut monoteistë!

Kështu ka qenë thirrja e të gjithë profetëve, predikim i qartë për teuhid, predikim i qartë se All-llahu është Një si Zot dhe Krijues, se All-llahu është Një të Cilit duhet t’i përulemi me adhurim dhe se All-llahu është Një në Emrat dhe Cilësitë e Tij. Predikim haptazi që tregon për pastërtinë dhe lartësinë e All-llahut mbi të gjitha përshkrimet që ia kanë bërë idhujtarët.

All-llahu i Lartësuar ka thënë:

سُبْحَانَ رَبِّكَ رَبِّ الْعِزَّةِ عَمَّا يَصِفُونَ (180) وَسَلَامٌ عَلَى الْمُرْسَلِينَ (181) وَالْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ (182)

“180. I lartësuar është Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata!

181. Paqja qoftë mbi të dërguarit,

182. dhe të gjitha lavdet e falënderimet i përkasin All-llahut, Zotit të botëve! ” – Es-Sâffât, 180-182.

Dhe prej shpifjeve më të mëdha, prej padrejtësive më të mëdha dhe prej kufrit më të rëndë është shpifja se All-llahu ka fëmijë – i Lartësuar dhe i pastër është All-llahu nga çdo e metë! Sepse ky është kulmi i fyerjes dhe i nënçmimit ndaj madhërisë, madhështisë dhe cilësisë hyjnore të All-llahut si Zot.

Çdokush, përveç All-llahut, është krijesë e Tij, i nënshtruar përpara madhërisë dhe madhështisë së Tij, i ngarkuar me urdhra për t’i bërë ibadet Atij, kurse All-llahu është i lartësuar dhe i pastër nga pasja fëmijë. Prandaj ka thënë – dhe Thënia e Tij është hakk – lidhur me ata që i përshkruajnë All-llahut fëmijë:

وَقَالُوا اتَّخَذَ الرَّحْمَٰنُ وَلَدًا (88) لَّقَدْ جِئْتُمْ شَيْئًا إِدًّا (89) تَكَادُ السَّمَاوَاتُ يَتَفَطَّرْنَ مِنْهُ وَتَنشَقُّ الْأَرْضُ وَتَخِرُّ الْجِبَالُ هَدًّا (90) أَن دَعَوْا لِلرَّحْمَٰنِ وَلَدًا (91) وَمَا يَنبَغِي لِلرَّحْمَٰنِ أَن يَتَّخِذَ وَلَدًا (92) إِن كُلُّ مَن فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ إِلَّا آتِي الرَّحْمَٰنِ عَبْدًا (93) لَّقَدْ أَحْصَاهُمْ وَعَدَّهُمْ عَدًّا (94) وَكُلُّهُمْ آتِيهِ يَوْمَ الْقِيَامَةِ فَرْدًا (95)

“88. Ata thonë: «I Gjithëmëshirshmi ka një fëmijë».

89. Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme!

90. Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuara,

91. ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit.

92. Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir.

93. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit.

94. Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht.

95. Çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kiametit, do të dalë fill i vetëm para Tij.” – Merjem, 88-95.

Për sa i përket atyre që e hyjnizojnë Isanë (alejhis-selâm), ose pretendojnë se është bir i All-llahut – sa i Lartësuar e i pastër është All-llahu azze ue xhel-le nga kjo shpifje – ose thonë se All-llahu është njëri prej treve, ne e kemi për detyrë të distancohemi nga ata dhe besimi i tyre!

Lavdërimet, nderimet dhe shpëtimi i All-llahut qoftë me Muhamedin, me Isanë dhe me të gjithë të dërguarit tanë të nderuar dhe me ndjekësit e tyre të vërtetë!

_______

Bazuar kryesisht në një hutbe të shejh dr. Hâlid Dhafiri, All-llahu e ruajttë!
Përkthimi: Blerand Grubi