esSunneh

Kjo dituri është fe…

Zekati i fitrit është një saë nga ushqimet bazë të vendit | Ibën Baz

Çdo lavd i takon All-llahut. Falja dhe shpëtimi i All-llahut qoftë me të Dërguarin e All-llahut, si dhe me familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që udhëzohen me udhëzimin e tij! Më pas:

Janë shpeshtuar pyetjet rreth nxjerrjes së orizit për zekat të fitrit dhe rreth nxjerrjes së parave në vend të ushqimit.

Përgjigjja: Është transmetuar në hadithet autentike të të Dërguarit të All-llahut () se ai ia ka bërë të detyrueshëm muslimanëve zekatin e fitrit; një saë (tas) me hurma, ose një saë me elb dhe ka urdhëruar të jepet para daljes së njerëzve për namaz, pra për namaz të bajramit.

Në dy Sahihët është transmetuar nga Ebu Seid el-Hudri (radijAll-llahu anhu) se ka thënë:

«كنا نعطيها في زمن النبي ﷺ صاعاً من طعام أو صاعاً من تمر أو صاعاً من شعير أو صاعاً من إقط أو صاعاً من زبيب»

“Ne e jepnim atë (zekatin e fitrit) në kohën e Profetit () një saë ushqim (bazë), ose një saë elb, ose një saë hurma, ose një saë ekit (lloj bulmeti të thatë), ose një saë rrush të thatë.” (Buhariu: 1506 dhe Muslimi: 985)

Një grup i dijetarëve fjalën “ushqim” (طعام) në këtë hadith e kanë shpjeguar se nënkupton grurin, kurse disa të tjerë e kanë shpjeguar se me fjalë “ushqim” është për qëllim ajo që banorët e një vendi e konsiderojnë ushqim bazë, çfarëdo qoftë ai. Pavarësisht a është grurë, misër, mel, apo ndonjë tjetër. Dhe ky (i dyti) është mendimi i saktë. Sepse zekati është një ngushëllim dhe lehtësim i gjendjes nga ana e të pasurve për të varfrit dhe muslimani nuk e ka për detyrë ta ndihmojë dikë me një ushqim që nuk është bazë në vendin e tij. Dhe orizi nuk ka dyshim se është ushqim bazë në mbretërinë (e Arabisë Saudite) dhe është ushqim i mirë dhe i çmuar. Orizi është më i mirë se elbi, për të cilin hadithet thonë se pranohet.

Me këtë kuptohet se nuk ka problem të nxirret orizi si zekat i fitrit.

Masa e detyruar është një saë me cilindo prej këtyre llojeve, sipas sait të Profetit (), i cili është i barasvlershëm me katër mbushje të të dy grushteve, me duar mesatare dhe të mbushura, siç thuhet në “El-Kâmûs” etj. Me peshë i bie përafërsisht tre kilogramë.

Nëse muslimani nxjerr një saë oriz, ose diçka tjetër që është ushqim bazë në vendin e tij, i pranohen fitrat, edhe nëse nuk është prej llojeve të përmendura në hadith, sipas mendimit të saktë ndër dy mendimet e dijetarëve. Nuk ka të keqe ta nxjerrë atë edhe me peshim, që i bie tre kilogramë përafërsisht.

Obligimi i nxjerrjes së zekatit vlen për çdo musliman, të vogël e të madh, mashkull dhe femër, të lirë dhe rob. Për sa i përket fëmijës që është në barkun e nënës, zekati i fitrit nuk është obligim të nxirret për të, sipas ixhmasë, por është e pëlqyer, sepse kështu ka vepruar Uthmani (radijAll-llahu anhu).

Obligim është të nxirret para namazit të bajramit dhe nuk lejohet vonimi i tij pas namazit të bajramit. Nuk ka pengesë nëse e nxjerr një ditë ose dy ditë para bajramit.

Me këtë kuptohet se koha e nxjerrjes së këtij zekati, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, fillon natën e njëzetenëntë. Sepse muaji mund të jetë njëzetenëntë ditë dhe mund të jetë tridhjetë ditë. Sahabët e të Dërguarit të All-llahut () e nxirrnin një ditë ose dy ditë para bajramit.

Personave që duhet dhënë ky zekat janë: të varfrit dhe nevojtarët. Në një transmetim të saktë thuhet se Ibën Abbasi (radijAll-llahu anhumâ) ka thënë:

فرض رسول الله ﷺ زكاة الفطر طهرة للصائم من اللغو والرفث وطعمة للمساكين فمن أداها قبل الصلاة فهي زكاة مقبولة ومن أداها بعد الصلاة فهي صدقة من الصدقات

“I Dërguari i All-llahut () e ka bërë të detyrueshëm zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe të pahijshme dhe si ushqim i të varfërve. Kush e nxjerr atë para namazit (të bajramit), i llogaritet zekat i pranuar, kurse kush e nxjerr pas namazit, i llogaritet një sadaka prej sadakave.” (Ebu Davud: 1609 dhe Ibën Mâxheh: 1827)

Nuk lejohet të nxirret vlera e zekatit (me para), sipas shumicës së dijetarëve – dhe ky është mendimi më i saktë për nga argumentimi. Bile është vaxhib që zekati i fitrit të nxirret ushqim, siç ka vepruar Profeti () dhe sahabët e tij (radijAll-llahu anhum). Këtë qëndrim e kanë shumica e Umetit.

All-llahu është Ai të Cilit i lutemi të na japë neve dhe të gjithë muslimanëve sukses ta kuptojmë fenë e Tij dhe të qëndrojmë të paluhatshëm në të! Atij i lutemi të na i rregullojë zemrat dhe veprat tona! Vërtet, Ai është Bujar i Madh.

Lavdërimet, nderimet dhe shpëtimi i All-llahut qofshin me Profetin tonë Muhamed dhe me familjen dhe shokët e tij!

Kryetar i përgjithshëm i drejtorisë për kërkime diturore, fetva, thirrje dhe udhëzim

Abdul-Aziz ibën Abdil-lâh ibën Bâz

________________

Përktheu: Blerand Grubi
https://binbaz.org.sa/articles/169/زكاة-الفطر-صاع-من-قوت-البلد 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *